Kryeministri britanik Boris Johnson, për herë të parë pas daljes së tij nga spitali pas infektimit me COVID-19, ka dhënë një deklaratë të shkurtër për media në të cilën falënderon stafin e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar në Spitalin St Thomas për trajtimin e tij në njësinë e kujdesit intensiv. “Unë ju kam borxh jetën time”, kështu mësohet të jetë shprehur kryeministri i Britanës së Madhe, Boris Johnson për mjekët që i shërbyen në luftën e tij kundër CoVid-19.
Johnson tashmë është në një gjendje më të mirë shëndetësore pasi tre ditë ai qëndroi në kurim intensiv. Tashmë sipas mediave në Angli thuhet se ai e ka kaluar rrezikun, ndërkohë që nuk i ka kursyer lëvdatat për shërbimin mjekësor. Boris u tha miqve se kujdesi që kishte marrë ishte “shembullor” dhe shtoi: “Unë nuk mund t’i falënderoj sa duhet. Ua kam borxh jetën time”.
980 jetët e humbura e raportuara në 24 orët e fundit në Mbretërinë e Bashkuar kanë tejkaluar numrin më të madh të viktimave të regjistruara në ditët më të këqija të Italisë dhe Spanjës gjatë kësaj pandemie, ku në Itali shifra më e lartë ka qenë 919 kurse në Spanjë 950. Ndërsa këto dy vende tani po shohin se shifrat e vdekjeve çdo ditë po bien, Mbretëria e Bashkuar po e mbyll javën më rreth 1000 viķtima por numri mund të jetë edhe më i lartë pasi shumë humbje jetësh dyshohet se ende nuk janë raportuar.