Një familje rrëqebulli, e përbërë nga tre individë, është filmuar dhe fotografuar në 16 shkurt të këtij viti në rajonin malor Polis-Guri i Zi, Elbasan.
Kamerat-kurth të vendosura nga një bashkëpunim i shkëlqyer midis PPNEA dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura Elbasan kanë sjellë një suprizë të paimagjinueshme dhe rezultatin më maksimal që mund të pritej.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha se “kjo provë e riprodhimit të rrëqebullit është indikatori parësor për ekzistencën e një popullate tjetër në Shqipëri”.
“Pas zonës së Munellës në veri të Shqipërisë, Polis-Guri i Zi bëhet tashmë rajoni i dytë në Shqipëri ku është vërtetuar riprodhimi i rrëqebullit dhe zona e tretë në gjithë Ballkanin (përfshirë dhe Parkun Kombëtar të Mavrovës në Maqedoninë e Veriut)”, – tha Klosi.
Monitorimi në rajon po kryhet bashkarisht nga PPNEA dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura Elbasan dhe është thellim i kërkimit për rrëqebullin në këtë rajon pas evidentimit të ekzistencës së një individi në dhjetor 2018 nga AdZM Elbasan”, – tha Klosi.
Përveç faktit të vërtetimit të riprodhimit të rrëqebullit, kjo e dhënë vërteton dhe vendndodhjen më jugore të rrëqebullit të Ballkanit në të gjithë gadishullin./atsh