Elbasani ka startuar dje përgatitjet për 2020-ën. Nën drejtimin e teknikut Shkëlqim Lleshanaku verdheblutë nisën stërvitjen në kompleksin “Shefqet Lamçja”, me shpresën që në pjesën e mbetur të sezonit të bëjnë më mirë.
Nuk ka pasur zhvillime në këtë seancë të parë, teksa në apel kanë qenë lojtarët që e mbyllën vitin me verdheblutë. Nuk ka ende afrime, të paktën me lojtarë të afirmuar dhe me eksperiencë, të cilët mund t’i vijnë në ndihmë ekipit elbasanas. Për momentin e rëndësishme është që nuk ka “firo” dhe gjasat janë që të mos ketë për aq kohë sa futbollistët kanë dalë në stërvitje.
Kuptohet që sytë e drejtuesve janë tanimë nga merkatoja, ku duket se varen edhe shpresat për mbijetesë. Drejtuesit verdheblu janë ende në fazën e bisedimeve, por gjasat janë që javën tjetër të bashkohen me skuadrën futbollistë të rinj. Trajneri Lleshanaku ka kërkuar përforcime në të gjitha repartet, por sesa do të jetë në gjendje klubi t’ia plotësojë dëshirën, mbetet për t’u parë në vazhdim.
VLADIMIR MEMA