Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin e një marrëveshjeje, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës.
Kështu në mbështetje të Kushtetutës dhe të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e një marrëveshjeje, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës së Zvicrës të përfaqësuar nga agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, duke vepruar nëpërmjet Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, për programin “Shëndet për të gjithë – HAP”, faza e dytë, prill 2019 – mars 2023, një projekt dypalësh bashkëpunimi dhe zhvillimi.
Që prej vitit 2015, Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC) po ndihmon në promovimin e shëndetit publik në qarqet e Dibrës dhe Fierit. Faza e parë e projektit e cila u zbatua nga konsorciumi i përbërë nga 3 organizata: Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale, Save the Children dhe Terre des Hommes, u finalizua në 31 mars 2019.
Faza e dytë e projektit shtrihet në afatin kohor prill 2019-mars 2023 dhe po zbatohet nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Sëiss TPH) përmes qendrës HAP.
Parashtruar edhe në Strategjinë e SDC-së për Bashkëpunimin me Shqipërinë 2018-2021, qëllimi i fazës 2 të Projektit është “Popullsia shqiptare përfiton nga shëndetësia më e mirë falë shërbimeve të përmirësuara të kujdesit shëndetësor parësor.”
HAP po punon ngushtësisht me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe entitetet e saj në nivel kombëtar dhe vendor, ofruesit e kujdesit shëndetësor parësor, pushtetin vendor dhe organizatat lokale të shoqërisë civile për arritjen e dy rezultateve kryesore.
MSHMS-ja dhe strukturat e saj rajonale menaxhojnë me më shumë efektshmëri dhe eficiencë shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor.
Qytetarët në qarqet e synuara kanë akses dhe përdorin me efektshmëri shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor e një cilësie më të mirë.