Bashkia e Elbasanit është duke investuar për rikonstruksionin e rrugës “8 Marsi” në lagjen “Visarion Xhuvani”. Ky investim ishte i domosdoshëm dhe i kërkuar shumë herë nga banorët, për shkak të kushteve në të cilat ndodhej rruga, ku prej një kohe të gjatë nuk ishte vënë dorë.
Kryetari i Grupit Parlamentar Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja inspektuan punimet duke e vënë theksin në cilësinë e tyre.
Në fund të këtij viti rruga do të jetë e përfunduar dhe banorët s’do të vuajnë më pluhurin dhe baltën:
“Lagja “Visarion Xhuvani” është një prej lagjeve të vjetra të Elbasanit ku prej shumë vitesh nuk ishte investuar. Elbasani është kthyer në një kantier të rëndësishëm ndërtimi ku po punohet, jo vetëm për urbanizimin e plotë, në të gjitha nivelet, kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza, rrjetin e energjisë etj.
Rruga “8 Marsi” ka qenë një prej angazhimeve tona, banorët na e kanë kërkuar shpesh këtë investim dhe tashmë jemi me fjalën e mbajtur, brenda Vitit të Ri rruga do të jetë gati, brenda të gjitha standardeve” tha Balla.
Kryetari i Bashikisë vuri theksin tek cilësia e punimeve duke theksuar se një investim cilësor është një investim afatgjatë dhe i qëndrueshëm:
“Jemi duke punuar dita ditës në shumë projekte të tilla. E rëndësishme për ne është ta monitorojmë cilësinë e punimeve, që është kriteri kryesor. Duhet të kemi punime cilësore dhe jetëgjata, që të tilla projekte për mos rihapen për shumë kohë”- vijoi kryetari i bashkisë.