Dy vajza adoleshente kanë humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik të ndodhur gjatë natës në zonën e Bërzhitës në Tiranë.
Ka qenë ora 01:00 kur një automjet me të cilin udhëtonin 5 persona doli nga rruga duke shkaktuar vdekjen e dy vajzave që ndodheshin pasagjere në makinë. Mësohet se vajzat që kanë humbur jetën janë 17 vjeçe me iniciale D.T. dhe S.S.
Të plagosur kanë mbetur tre persona të tjerë, shoferi F.Sh. 18 vjeç dhe dy pasagjerët e tjerë të mitur O.M. 14 vjeç dhe L.M. 14 vjeç. Ata ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Shkaqet dyshohet të kenë qenë shpejtësia dhe humbja e kontrollit për shkak të lagështirës në rrugë. Në vendngjarje shkoi policia, e cila nisi hetimet për të zbardhur dinamikën e këtij aksidenti të rëndë.
Informacioni paraprak i Policisë së Tiranës
Në aksin e vjetër rrugor, në Bërzhitë, automjeti me drejtues shtetasin F. SH.,18 vjeç, si pasojë e lagështirës ka dalë nga rruga. Për pasojë kanë ndërruar jetë dy nga pasagjeret në automjet, D. T, 17 vjeçe dhe S. S, 17 vjeçe. Drejtuesi i automjetit F. SH së bashku me dy pasagjerët e tjerë O. M, 14 vjeç dhe L. M, 14 vjeç ndodhen në SQU nën kujdesin mjekësor. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit