Rritja e çmimit të karburantit, e ndikuar nga tensionet dhe konflikti në Iran, ka filluar të japë efektet e saj të drejtpërdrejta në sektorin e transportit publik në Elbasan. Më të prekurit janë drejtuesit e linjave ndërqytetase, të cilët po përballen me kosto gjithnjë në rritje, ndërsa përpiqen të mos rëndojnë xhepat e qytetarëve.
Sipas operatorëve të transportit, situata është bërë e vështirë ekonomikisht. Ata shprehen se aktualisht po punojnë me humbje dhe se rreziku i falimentimit është real, por pavarësisht kësaj nuk kanë ndërmarrë ende hapin për të rritur çmimin e biletave. Si masë e përkohshme, kanë reduktuar ndjeshëm numrin e mjeteve në qarkullim, duke përgjysmuar flotën për të përballuar kostot.
“Po mundohemi ta mbajmë situatën nën kontroll, por është shumë e vështirë. Nëse çmimet vazhdojnë kështu, do të detyrohemi të rrisim tarifat,” shprehet një drejtues linje, duke shtuar se shpresa e tyre mbetet tek stabilizimi i tregut ndërkombëtar ose ndërhyrja e qeverisë për të lehtësuar krizën.
Nga ana tjetër, qytetarët shprehen të shqetësuar për një tjetër valë shtrenjtimi, që pritet të prekë jo vetëm transportin, por edhe jetesën e përditshme. Ata kërkojnë masa konkrete nga institucionet për të përballuar situatën.
“Çdo gjë po rritet dita-ditës. Nëse rriten edhe biletat, bëhet e papërballueshme,” thotë një qytetar.
Veçanërisht të prekur ndihen pensionistët, të cilët theksojnë se janë ndër shtresat më të pambrojtura. “Me pensionin që marrim mezi përballojmë ushqimet, jo më të përballojmë edhe rritje të tjera,” shprehet një e moshuar.
Frika më e madhe për qytetarët mbetet fakti se kjo rritje çmimesh mund të mos jetë e përkohshme. Shumë prej tyre besojnë se edhe pas përfundimit të konfliktit, çmimet mund të mbeten të larta, duke rënduar më tej ekonominë familjare.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.