Elbasan/ Shkel masën “Arrest në shtëpi”, kapet duke qarkulluar me makinë 37-vjeçari

Një 37-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Elbasanit, pasi u kap duke qarkulluar me automjet në kundërshtim me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Gjatë patrullimeve në bulevardin “Qemal Stafa”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, konstatuan një drejtues mjeti që po kryente manovra të dyshimta. Pas ndalimit dhe verifikimeve, rezultoi se drejtuesi ishte shtetasi G. M., 37 vjeç, i cili ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u arrestua në flagrancë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Ndërkohë, në ngjarje të tjera, Policia e Elbasanit referoi disa raste në Prokurori, përfshirë procedime për mallra pa dokumentacion, kanosje, aksident rrugor me të lënduar lehtë dhe një rast dhune, ndërsa një person është shpallur në kërkim.