Një grabitje nën kërcënimin e armës së zjarrit është regjistruar në orët e para të mëngjesit në lagjen “5 Maji” në Elbasan.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 04:05, disa persona të paidentifikuar janë futur në banesën e shtetasit L. Z. dhe i kanë marrë katër telefona celularë dhe një shumë parash, duke e kërcënuar me armë zjarri.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje. Me konstatimin e pranisë së efektivëve, autorët janë larguar drejt një zone kodrinore, duke përfituar nga errësira dhe duke braktisur automjetet me të cilat dyshohet se kanë lëvizur.
Gjatë veprimeve hetimore, policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automjete, veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që pritet të ndihmojnë në dokumentimin e ngjarjes.
Ndërkohë, vijon ndjekja për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të grabitjes.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.