Në kujtesën e shumë elbasanasve, Dita e Verës nuk është thjesht një festë kalendarike. Ajo është një ndjesi që vjen nga fëmijëria, nga rrugicat e qytetit, nga aroma e ballakumeve që përhapet në ajër dhe nga një mënyrë e veçantë jetese që quhet thjesht… dashni për vendin.
Përballë shkollës së autores ishte furra e Xhevatit, me një dyqan të vogël buke pranë. Në ditët e festës, ajo copëz rruge që të çonte drejt shtëpisë mbushej me aromën e gjalpit dhe sheqerit. Era e ballakumeve, ëmbëlsirës simbol të Ditës së Verës në Elbasan, përhapej gjithandej dhe e kthente qytetin në një festë të madhe aromash.

Në ato vite, ballakumet nuk paketoheshin në celofan dhe nuk shiteshin në tezga si sot. Ato ishin pjesë e shtëpisë dhe e familjes. Piqeshin në tava të mëdha, një tavë për çdo shtëpi, dhe shpërndaheshin me zemër. Mjaftonte të thoje një “të lumshin duart, nënë” dhe menjëherë bëheshe pjesë e gëzimit të festës.
Ishte një kohë kur gjërat e mira ishin të thjeshta dhe të gjitha ndiheshin “tonat”.

Në mes të këtij qyteti që ruan ende aromën e traditës, qëndron madhështore Kalaja e Elbasanit. Ajo është zemra historike e qytetit dhe një vend që çdo vizitor e ndjen si të ftuar për ta vizituar. Portat e saj të mëdha prej guri të lëmuar dhe dy çezmat pranë hyrjes, ku uji rrjedh bujarisht, duket sikur tregojnë mikpritjen e hershme të një qyteti që gjithmonë ka ditur të presë njerëzit.
Brenda atyre mureve të lashta, Elbasani ka ruajtur jo vetëm historinë, por edhe shpirtin e vet. Këngët, ritet dhe zakonet që elbasanasit i njohin aq mirë janë një pasuri që brezat e kanë mbrojtur si një thesar.
Edhe kur dikush mund të bëjë ndonjë batutë për elbasanasit apo dialektin e tyre, ata që e njohin shpirtin e këtij qyteti e dinë se brenda atyre rrethinave fshihet një botë e tërë kujtimesh dhe emocionesh.

Në mbrëmje, njerëzit dilnin në bulevard, përshëndesnin njëri-tjetrin dhe ndanin kujtimet e përditshme. Mbi qytet ngrihej krenar Kulla e Sahatit të Elbasanit, e dukshme nga pothuaj çdo cep i tij.
Për autoren, sahati ishte pjesë e jetës së përditshme. Nga dritarja ku studionte natën, ajo shihte akrepat që lëviznin ngadalë. Në heshtjen e qytetit që flinte, tingulli i tij “pam… pam…” dukej si një jehonë e largët që përhapej nëpër rrugë.

Në atë qetësi, sahati i ngjante një fytyre të plotë hëne që vështronte qytetin.
Dhe ndoshta pikërisht aty, mes aromës së ballakumeve, mureve të kalasë dhe tingujve të sahatit, mësohej ajo ndjenjë që autorja e quan kaq thjesht: dashni.
Një dashni për qytetin, për traditën dhe për kujtimet që nuk humbasin kurrë.
(Nga rrëfimi i bukur i elbasanases Hortensia Haxhiademi Pellumbi)
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.