Në kuadër të festimeve të Ditës së Verës, Qendra e Formimit Profesional Publik Elbasan organizoi një aktivitet të veçantë kushtuar një prej simboleve më të njohura të qytetit: ballokumes tradicionale. Aktiviteti u zhvillua përmes një konkursi mes kursantëve të qendrës, të cilët garuan për përgatitjen e ballokumes më të mirë, duke sjellë jo vetëm shijen e traditës, por edhe kreativitetin e tyre në këtë trashëgimi kulinare.

Në aktivitet morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe Kryetarja e Këshillit të Qarkut Elbasan, Ermira Urupi, të cilët përgëzuan nismën e qendrës dhe vlerësuan rolin e saj në ruajtjen e traditave të qytetit.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme për promovimin e ballokumes dhe traditës elbasanase, duke nënvizuar edhe rëndësinë e transmetimit të kësaj trashëgimie nga një brez te tjetri.

Ndërkohë, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Elbasan, Ermira Urupi, u shpreh se ruajtja dhe promovimi i traditave lokale është një element i rëndësishëm i identitetit kulturor të zonës, duke vlerësuar përfshirjen e të rinjve në aktivitete që i lidhin ata me historinë dhe kulturën e qytetit.

Drejtori i Qendrës së Formimit Profesional Publik Elbasan, Krenar Xhemali, falënderoi stafin e qendrës për përkushtimin dhe punën e tyre në organizimin e aktivitetit, si dhe kursantët që u angazhuan me pasion në këtë konkurs. Ai theksoi se qendra vijon të jetë një institucion i rëndësishëm për zhvillimin e aftësive profesionale të të rinjve, duke ndërthurur formimin profesional me ruajtjen dhe promovimin e traditave të qytetit të Elbasanit.

Aktiviteti u prit me shumë interes dhe krijoi një atmosferë festive, duke dëshmuar edhe një herë se tradita e ballokumes mbetet një nga simbolet më të dashura të Elbasanit, që vazhdon të jetojë dhe të përcillet me krenari nga brezi në brez.





ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.