Forbes: Samir Mane rrit pasurinë në 1.9 miliardë dollarë, biznesmeni shqiptar forcon pozicionin në listën e miliarderëve

Biznesmeni shqiptar Samir Mane ka rritur ndjeshëm pasurinë e tij dhe vijon të konsolidojë pozicionin në listën globale të miliarderëve të revistës Forbes. Sipas përditësimit më të fundit të publikuar nga revista amerikane, pasuria neto e themeluesit të BALFIN Group ka arritur në 1.9 miliardë dollarë, rreth 500 milionë dollarë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Samir Mane hyri për herë të parë në listën e miliarderëve të Forbes në vitin 2025, duke u bërë biznesmeni i parë shqiptar që përfshihet në këtë renditje, si edhe i pari në rajonin e Ballkanit. Përditësimi i fundit tregon një rritje të mëtejshme të vlerës së pasurisë së tij, e cila lidhet kryesisht me zgjerimin dhe diversifikimin e aktiviteteve të grupit BALFIN në disa sektorë. Aktualisht, ai vijon të jetë i vetmi biznesmen nga Ballkani i listuar në renditjen e miliarderëve të Forbes. Gjithashtu sipas përllogaritjeve, Mane fiton 1.1 milion dollarë në ditë.

Sipas shënimeve editoriale të Forbes, Mane është themelues dhe president i BALFIN Group, një konglomerat investimesh me bazë në Tiranë që operon në fusha të ndryshme të ekonomisë, duke përfshirë tregtinë me pakicë, pasuritë e paluajtshme, logjistikën dhe sektorin bankar. Grupi zotëron disa nga qendrat më të mëdha tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rrjete dyqanesh elektronike dhe investime të rëndësishme në projekte rezidenciale dhe turistike në Shqipëri

Historia e biznesit të Mane nis në fillim të viteve ’90. Sipas Forbes, ai u largua nga Shqipëria në vitin 1991 gjatë rënies së regjimit komunist dhe u vendos në Austri si refugjat. Në vitin 1993 ai nisi aktivitetin tregtar duke eksportuar pajisje elektroshtëpiake drejt Shqipërisë, duke shënuar hapat e parë të sipërmarrjes së tij.

Në vitin 1998 Mane themeloi rrjetin e dyqaneve elektronike Neptun, i cili u bë një nga markat më të njohura në tregun e elektronikës në Shqipëri dhe rajon. Pas rikthimit të tij në Shqipëri në vitin 2005, ai zhvilloi një nga projektet më të rëndësishme të retail-it në vend, duke hapur qendrën e parë moderne tregtare.

Sot BALFIN Group ka një portofol të gjerë aktivitetesh që shtrihet përtej tregut shqiptar. Përveç investimeve në qendrat tregtare dhe retail në Ballkanin Perëndimor, grupi zotëron gjithashtu një bankë, parqe logjistike dhe projekte të mëdha të pasurive të paluajtshme. Forbes thekson gjithashtu se grupi ka investime në pasuri të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Austri, si dhe projekte infrastrukturore dhe arsimore në Shqipëri, përfshirë edhe një universitet privat.

Rritja e pasurisë së Mane në 1.9 miliardë dollarë reflekton jo vetëm zgjerimin e portofolit të investimeve të BALFIN, por edhe zhvillimin e sektorëve të retail-it dhe pasurive të paluajtshme në rajon gjatë viteve të fundit.

Për ekonominë shqiptare, përfshirja e një sipërmarrësi vendas në listën e miliarderëve globalë konsiderohet një tregues i rritjes së kapitalit privat dhe i konsolidimit të një prej grupeve më të mëdha të biznesit në vend dhe në rajon. /ekofin.al