Një lajm i trishtë ka prekur thellë komunitetin e Librazhdit dhe të gjithë ata që u bashkuan në përpjekjen për të shpëtuar jetën e saj. Infermierja 22-vjeçare Klarisa Zharri ka ndërruar jetë në një spital në Itali, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe te të gjithë ata që u bënë pjesë e kauzës për ta ndihmuar.
Historia e Klarisës u kthye në një simbol të solidaritetit njerëzor. E diagnostikuar me një sëmundje të rëndë autoimune të mëlçisë, e cila kishte çuar në cirrozë të avancuar dhe dështim funksional të organit, e reja nga Librazhdi kishte nevojë për një transplant të mëlçisë ,një ndërhyrje jetike që kërkonte mbështetje të madhe financiare.
Apeli për ndihmë disa javë më parë bashkoi një komunitet të tërë. Qytetarë nga Librazhdi, por edhe shumë shqiptarë nga qytete të tjera dhe nga diaspora, kontribuan me zemër për të mbledhur fondet e nevojshme për trajtimin e saj. Brenda pak kohësh u sigurua shuma financiare prej 100 mijë euro që i dha mundësi Klarisës të udhëtonte drejt Italisë, në një nga qendrat më të njohura të transplanteve, ku do të kryheshin procedurat e nevojshme për transplantin.
Solidariteti i treguar në ato ditë u bë një shembull i rrallë humanizmi. Qindra njerëz ndihmuan në mënyra të ndryshme: me donacione, mesazhe mbështetjeje, telefonata apo duke trokitur në dyert e institucioneve për të dhënë kontributin e tyre. Librazhdi dhe jo vetëm tregoi se kur bëhet fjalë për jetën, njerëzit dinë të bashkohen dhe të japin gjithçka nga zemra.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mëdha dhe shpresës që mbajti të bashkuar një komunitet të tërë, beteja e Klarisës me sëmundjen rezultoi më e fortë.
Largimi i saj nga jeta ka tronditur të gjithë ata që ndoqën historinë e saj dhe që besuan deri në fund se ajo do ta fitonte këtë betejë. Kujtimi i Klarisës dhe solidariteti i jashtëzakonshëm që u krijua për të do të mbeten një dëshmi e fuqisë së humanizmit dhe dashurisë njerëzore.
Në këtë moment të vështirë, mendimet dhe lutjet e gjithë komunitetit janë pranë familjes Zharri, e cila po përjeton një dhimbje të madhe.
Klarisa u largua shumë herët, por historia e saj tregoi se shpresa dhe mirësia e njerëzve mund të bashkojnë një komunitet të tërë për jetën e një vajze të re të sapo fejuar.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.