Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Efiçencës së Energjisë, Bashkia Elbasan ka theksuar angazhimin për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe për një të ardhme më të gjelbër për qytetin.
Drejtoresha e Politikave të Bujqësisë, Pyjeve, Mjedisit, Statistikave dhe Performancës, Lorena Haxhiymeri, u shpreh se kjo ditë është një moment reflektimi për mënyrën se si qyteti menaxhon burimet dhe energjinë.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Efiçencës së Energjisë, Elbasani nuk flet thjesht për kursim energjie. Sot flasim për përgjegjësi, për vizion dhe për të ardhmen që duam të ndërtojmë për fëmijët tanë”, u shpreh Haxhiymeri.
Sipas saj, Elbasani ka zgjedhur të jetë pjesë aktive e tranzicionit të gjelbër europian, duke ndërmarrë politika dhe investime konkrete në energjinë e pastër dhe në zhvillimin e qëndrueshëm.
“Elbasani ka zgjedhur të mos jetë spektator i tranzicionit të gjelbër europian. Ne kemi zgjedhur të jemi pjesë aktive e tij”, – theksoi ajo.
Një moment i rëndësishëm për qytetin është edhe marrja e “EU Mission Label” për Qytetet Klimatike-Neutrale, një certifikim prestigjioz që e rendit Elbasanin mes 106 qyteteve evropiane që po udhëheqin tranzicionin klimatik. Bashkë me Sarajevën, Elbasani është ndër qytetet e para nga Ballkani Perëndimor që arrin këtë vlerësim.
“Ky vlerësim nuk është vetëm një arritje simbolike, por edhe një përgjegjësi e madhe dhe një zotim publik për të çuar përpara transformimin klimatik të qytetit tonë”, u shpreh Haxhiymeri.
Ky vlerësim konfirmon se rruga që ka ndjekur Elbasani është ajo e një modeli zhvillimi të qëndrueshëm, të bazuar në inovacion, përfshirje dhe zgjidhje konkrete për komunitetin.
“Ne kemi zgjedhur të investojmë në energji të pastër jo si slogan, por si strategji. Elbasani po ndërton një identitet të ri, një qytet që mendon afatgjatë, bashkëpunon ndërkombëtarisht dhe vepron lokalisht për një Elbasan më të gjelbër, më efikas dhe më të fortë”, përfundoi ajo.
Nëpërmjet projekteve dhe iniciativave të ndryshme, Bashkia Elbasan synon të forcojë rolin e qytetit në përmbushjen e objektivave të klimës dhe energjisë, duke kontribuar në një të ardhme më të qëndrueshme për komunitetin.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.