Mjekë dhe infermierë të rinj në spitalin e Elbasanit, Ministrja Sala: Energjia e re bashkohet me eksperiencën

Shërbimi shëndetësor publik po pasurohet me energjinë e brezit të ri të mjekëve dhe infermierëve, të cilët po i bashkohen ekipeve ekzistuese në spitalet rajonale dhe bashkiake në të gjithë vendin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ndau sot dëshminë e një mjekeje të re që ka nisur punën në Elbasan, duke vënë në pah përkushtimin e saj në kujdesin ndaj pacientëve.

Prej disa muajsh, dr. Anxhela Kurti është pjesë e Shërbimit të Urgjencës Pediatrike në spitalin e Elbasanit, ku trajton çdo ditë dhjetëra raste të fëmijëve nga qyteti dhe rrethinat.

Ajo shpjegoi se gjatë periudhës së dimrit numri i vizitave arrin deri në 120 raste në 24 orë, kryesisht me viroza respiratore, bronkiolite, bronkopneumoni, por edhe gastroenterite dhe infeksione të tjera.

Me ardhjen e pranverës, ky fluks ka nisur të bjerë ndjeshëm.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se përfshirja e mjekëve dhe infermierëve të rinj është pjesë e një mekanizmi transparent dhe meritokratik, të realizuar përmes portaleve “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”.

Ky proces ka synuar plotësimin e nevojave në specialitete të ndryshme, duke rritur cilësinë e shërbimit në spitalet rajonale dhe bashkiake.