Familja Jugu nga qyteti i Elbasanit po përballet me një situatë tejet të rëndë ekonomike dhe shëndetësore, e cila i ka çuar në kushte ekstreme mbijetese. Varfëria e skajshme dhe sëmundjet e shumta kanë gjunjëzuar këtë familje, e cila sot kërkon ndihmë urgjente nga institucionet dhe qytetarët bamirës.
Kryefamiljari vuan nga probleme serioze shëndetësore që e kanë bërë të paaftë për punë, ndërsa edhe anëtarë të tjerë të familjes përballen me sëmundje kronike që kërkojnë trajtim të vazhdueshëm mjekësor. Të ardhurat mungojnë pothuajse plotësisht, ndërsa shpenzimet për ilaçe dhe ushqime bazë janë të papërballueshme.
Familja jeton në kushte të vështira, në një banesë që nuk plotëson kushtet minimale për një jetesë dinjitoze. Mungesa e ngrohjes, ushqimit dhe ndihmës shëndetësore e ka bërë përditshmërinë e tyre një betejë të vazhdueshme.
“Jemi në një situatë shumë të vështirë. Nuk kemi mundësi të sigurojmë as gjërat më bazike. Çdo ndihmë, sado e vogël, për ne është jetike,” shprehen anëtarët e familjes mes lotësh.
Familja Jugu apelon për ndihmë financiare, ushqimore dhe mjekësore, duke shpresuar që dikush do t’u gjendet pranë në këtë moment të errët. Ata kërkojnë gjithashtu vëmendjen e institucioneve shtetërore dhe strukturave sociale për të mos u lënë të përballen të vetëm me këtë realitet të dhimbshëm.
Çdo kontribut mund të bëjë diferencën dhe t’u rikthejë shpresën për një jetë më dinjitoze.
Mes lotësh, bashkëshortja Lije Jugu apelon për ndihmë.
Lije Jugu: Kam katër pesë vjet që vuaj.
Gazetarja: Nga se vuan?
Lije Jugu: Zemra, tensioni, gurët në tëmth, veshkat, syri.
Gazetarja: Ke qenë në spital?
Lije Jugu: Kam qenë, asgjë mjekim kam marrë dhe asgjë. Duan lekë shumë ata që të na kapin me dorë, nëna s’ka lekë. 100 mijë lekë marr, s’kam. I bëj thirrje njerëzve që të më ndihmojnë sepse jam në gjendje të rëndë, shumë sëmurë jam, qaj ditë e qaj natë.
Ndërkohë kryefamiljari, 71, vjeç thekson se ka 26 vite që kujdeset për djalin skizofren dhe 4 vite për bashkëshorten, por jetën më të vështirë ia ka bërë pamundësia ekonomike dhe shëndetësore.
Safet Jugu: Për djalin kam 26 vjet që kujdesem, për plakën kam 4 vjet. Ka zemrën, veshkat në fund fare, ka kateter, vuan nga gurët në tëmth, nuk lëviz, është me karrocë.
Gazetarja: Sa e vështirë është të kujdesesh për ta?
Safet Jugu: Është shumë e vështirë, jam me dhimbje edhe sot jam me dhimbje në këmbë, jam me hernie diskale të rëndë. Të shërbej unë në moshën 71 vjeç, skizofrenit nuk i bëjnë një gjilpërë. 26 vjet ka çuni që i shërbej, mosha ime me këtë fuqi që jam unë nuk i përballoj, si nga ana shëndetësore, si nga ana ekonomike. Ne kërkojmë ndihmë si për ilaçe, si për një lavatriçe.
Gazetarja: I përballoni dot me pensionin?
Safet Jugu: Harrojeni. 300 mijë lekë ajo i do ilaçe, 100 i do ai dhe nja 200 unë, ku përballohen dot, po ushqimet që i duhen./euronews
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.