Spitali Rajonal i Elbasanit ka përballuar një fluks të lartë pacientësh gjatë muajit janar, duke ofruar shërbime në disa prej sektorëve më të rëndësishëm si Urgjenca, Pediatria, Laboratori, Radiologjia, Kirurgjia, Patologjia dhe Poliklinika e Specialiteteve.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga drejtoresha e Qendrës Spitalore “Xhaferr Kongoli”, Zheni Bebi Gjergji, gjatë këtij muaji 5 717 pacientë kanë marrë ndihmë mjekësore në shërbimin e urgjencës, ndërsa rreth 6 mijë qytetarë kanë kryer analiza laboratorike.
Një tregues i rëndësishëm mbetet edhe lindshmëria, ku gjatë janarit janë regjistruar 102 lindje në maternitetin e spitalit, shifër që pasqyron vazhdimësinë e shërbimit obstetrik dhe besimin e qytetarëve ndaj këtij institucioni.
Në sektorin e Pediatrisë janë paraqitur 3 375 fëmijë, prej të cilëve 404 janë shtruar për trajtim të mëtejshëm, ndërsa në total 930 pacientë kanë qenë të shtruar në spital përgjatë muajit.
Aktivitet i konsiderueshëm është shënuar edhe në sallat e operacionit, ku janë realizuar 219 ndërhyrje kirurgjikale të niveleve të ndryshme të kompleksitetit. Ndërkohë, 9 052 pacientë kanë marrë shërbim në poliklinikën e specialiteteve.
Edhe shërbimet diagnostikuese kanë pasur volum të lartë pune, ku gjatë janarit janë kryer,
• 1 263 grafi (Rëntgen)
• 343 rezonanca magnetike (MRI)
• 855 skanera (CT)
• 450 eko
Të gjitha këto të dhëna janë bërë publike përmes një postimi informues në rrjetet sociale nga drejtuesja e institucionit, në funksion të transparencës mbi punën dhe shërbimet e ofruara për qytetarët e qarkut të Elbasanit. Echoss Newss
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.