Kryetari i bashkisë Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën e ZVA, Vesa Llanaj Liço, morëm pjesë në aktivitetin e organizuar nga shkolla “Fadil Gurmani” në bashkëpunim me Save the Children, ku u theksua rëndësia e edukimit mjedisor dhe përfshirjes së të rinjve në nisma konkrete për një mjedis më të pastër.
Një falënderim i veçantë iu drejtua Klubit “Zëri i Natyrës” dhe Qeverisë së Nxënësve për angazhimin dhe kontributin e tyre në këtë projekt, përmes të cilit shkolla u pajis me koshat e dedikuar për riciklimin, duke u dhënë nxënësve mjetet e duhura për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme mjedisore.
Me këtë rast, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, u shpreh se:
“Edukimi mjedisor duhet të nisë që në bankat e shkollës. Investimi tek të rinjtë dhe ndërgjegjësimi i tyre për riciklimin është investim për të ardhmen e qytetit tonë. Bashkia Elbasan do të vijojë të mbështesë çdo nismë që kontribuon në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.”
Programi do të shtrihet gjatë vitit 2026 në të gjitha shkollat e qytetit të Elbasanit, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, duke synuar përfshirjen e sa më shumë nxënësve në praktika konkrete riciklimi dhe kujdesi për natyrën.
Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Zyrën Vendore Arsimore, mbetet e angazhuar të mbështesë çdo nismë që nxit kulturën e riciklimit dhe kontribuon për një qytet më të pastër dhe më të gjelbër për të gjithë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.