Spitali Rajonal Elbasan ka mirëpritur këtë fundjabë Ministren e Shëndetësisë, Prof. Evis Sala, në një vizitë zyrtare që u cilësua si mjaft domethënëse për të ardhmen e shërbimeve shëndetësore në rajon. Lajmi u bë i ditur nga Drejtoresha e Spitalit, Zheni Gjergji, përmes një postimi publik, ku thekson rëndësinë e këtij takimi dhe mesazhet që ai përcolli.
Sipas Gjergjit, vizita e Ministres Sala krijoi një hapësirë të drejtpërdrejtë dialogu për të ndarë nga afër sfidat e përditshme me të cilat përballet institucioni shëndetësor, si dhe për të diskutuar mbi prioritetet kyçe që synojnë përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve për qytetarët. Në qendër të vëmendjes ishte veçanërisht fusha e onkologjisë, një sektor me ndjeshmëri të lartë dhe nevoja në rritje.

Drejtoresha e Spitalit Rajonal Elbasan shprehet krenare për stafin mjekësor dhe infermieror, duke vlerësuar përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e tyre në ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor për pacientët çdo ditë.
Në postimin e saj, Zheni Gjergji falënderon Ministren e Shëndetësisë për vëmendjen dhe mbështetjen e treguar, si dhe për gatishmërinë për të dëgjuar nga afër nevojat reale të spitalit dhe të pacientëve. Ajo thekson se bashkëpunimi institucional mbetet rruga më e sigurt për avancimin e sistemit shëndetësor dhe për një përgjigje më të mirë ndaj pritshmërive dhe nevojave të qytetarëve të Elbasanit dhe më gjerë.
Vizita e Ministres Sala shihet si një sinjal pozitiv për forcimin e dialogut mes institucioneve dhe për marrjen e vendimeve konkrete në funksion të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në nivel rajonal.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.