Aksident i rëndë në Elbasan/ Makina del nga rruga dhe përplaset me pemë, humb jetën 21-vjeçari

Një aksident i rëndë me pasojë humbjen e jetës është regjistruar mëngjesin e sotëm në qytetin e Elbasanit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në rrugën “Janaq Kilica”, automjeti që drejtohej nga R. R., 26 vjeç, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë anësore. Nga verifikimet rezulton se drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën pasagjeri N. U., 21 vjeç, banues në Elbasan, ndërsa drejtuesi i automjetit ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit për veprën penale të drejtimit të automjetit në gjendje të dehur me pasojë vdekjen. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ligjore.