Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin e ndodhur në Rrenas, Belsh, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasja Rr. T., informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me pasojë vdekjen, drejtuesin e automjetit, shtetasin K. I., 20 vjeç, banues në Belsh. Nga ky aksident është dëmtuar edhe pasagjerja në automjetin e shtetasit K. I., nëna e tij, e cila është jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin G. Xh., 50 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin (kamion), në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin V. Sh., 69 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë bashkëshorten e vëllait të tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit Xh. M., 30 vjeç, E. Q., 42 vjeç dhe J. C., 37 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. K., 37 vjeç, pasi është konfliktuar fizikisht me shtetasin D. L., 46 vjeç, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.