Ka përfunduar rikonstruksioni i plotë i konviktit “Ymer Tola” në Elbasan, duke e transformuar atë në një ambient modern dhe funksional, që garanton kushte dinjitoze për jetesë dhe studim për nxënësit e shkollave të mesme.
Objekti është rikonstruktuar nga themelet dhe tashmë përfshin 26 dhoma me kapacitet rreth 100 shtretër, të pajisura me kushte bashkëkohore, hapësira të përshtatshme për studim dhe standarde më të larta jetese.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se ky investim është një mbështetje konkrete për të rinjtë që ndjekin arsimin e mesëm dhe atë profesional në qytet.
“Rikonstruksioni i konviktit ‘Ymer Tola’ është një investim i rëndësishëm për nxënësit tanë, veçanërisht për ata që vijnë nga zonat e largëta dhe rurale. Ne po krijojmë kushte dinjitoze që të rinjtë të fokusohen te arsimi dhe e ardhmja e tyre,” – deklaroi Llatja.
Sipas tij, ky konvikt u shërben kryesisht nxënësve të arsimit profesional dhe atyre të shkollave të mesme që ndjekin mësimet në Elbasan, duke lehtësuar ndjeshëm barrën e akomodimit për familjet.
Bashkia Elbasan ka bërë të ditur se do të vijojë të mbështesë të rinjtë, veçanërisht ata nga zonat rurale që zgjedhin arsimin profesional, përmes investimeve në infrastrukturë arsimore dhe kushte të përshtatshme jetese, si pjesë e politikave për zhvillimin e arsimit dhe fuqizimin e të rinjve.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.