Është konstituuar zyrtarisht Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik, një strukturë e re parlamentare që synon forcimin e transparencës, përgjegjshmërisë dhe kontrollit mbi përdorimin e fondeve publike.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti socialist i Elbasanit, Adi Qose, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku thekson se ky nënkomision përbën një mekanizëm kyç për rritjen e rolit mbikëqyrës të Kuvendit në sektorin publik.
Si anëtar i këtij nënkomisioni, Qose deklaron se angazhimi i tij do të fokusohet në mbrojtjen e interesit publik, rritjen e llogaridhënies dhe monitorimin rigoroz të çdo qindarke nga fondet publike. Ai vuri theksin gjithashtu në rëndësinë e ndërtimit të standardeve më të forta të auditimit dhe qeverisjes.

“Kjo është pjesë e përpjekjes sonë për institucione më të forta, më të besueshme dhe më pranë standardeve europiane, në shërbim të qytetarëve dhe të objektivit tonë të përbashkët #Shqipëria2030 në Bashkimin Europian,” u shpreh deputeti Qose.
Sipas tij, Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik pritet të luajë një rol vendimtar në garantimin e përdorimit të përgjegjshëm të fondeve publike dhe në forcimin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.