Elbasan/ Realizohet Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues në zona të mbrojtura

Që prej fundit të vitit të kaluar, Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura (ADZM) Elbasan ka intensifikuar angazhimin e saj në monitorimin shkencor të biodiversitetit.

Në këtë kuadër, edhe këtë vit është realizuar Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues, një proces i rëndësishëm për vlerësimin e gjendjes së faunës ujore në vend.

Drejtori i ADZM Elbasan, z. Ardit Kullafi, thekson se ky monitorim u zhvillua në bashkëpunim me ekspertë të fushës, konkretisht me Prof. Ferdinant Bego nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, duke garantuar standarde të larta shkencore.

“Censusi u realizua në 8 pika numërimi, përfshirë Liqenin e Banjës dhe Liqenet e Belshit, zona me rëndësi të veçantë për biodiversitetin dhe strehimin dimëror të shpendëve ujorë. Ky proces është pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm për ruajtjen e natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura,” është shprehur Kullafi.

Sipas tij, të dhënat e mbledhura do të shërbejnë jo vetëm në nivel lokal, por edhe kombëtar e ndërkombëtar, duke ndihmuar në vlerësimin e popullatave të shpendëve ujorë dhe në përmirësimin e masave të ruajtjes së tyre.

ADZM Elbasan mbetet e angazhuar në mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet akademike, në funksion të ruajtjes së biodiversitetit për brezat e ardhshëm.