Në kuadër të projektit “Ekipet sportive në shkolla”, sot u zhvillua një takim i rëndësishëm mes trajnerëve të angazhuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe përfaqësuesve të Klubit Shumësportësh Elbasani, me qëllim thellimin e bashkëpunimit institucional dhe koordinimin e mëtejshëm të punës për zhvillimin e sportit te fëmijët dhe të rinjtë e qytetit të Elbasanit.
Takimi u fokusua në analizimin e ecurisë së deritanishme të projektit, shkëmbimin e eksperiencave mes trajnerëve dhe identifikimin e mënyrave konkrete për rritjen e cilësisë së stërvitjes në shkolla. Një vëmendje e veçantë iu kushtua sporteve me dorë, të cilat përbëjnë një traditë të rëndësishme sportive për Elbasanin dhe një potencial real për zbulimin e talenteve të reja.
Drejtori i Përgjithshëm i Klubit Shumësportësh Elbasani, z. Artin Kovaçi, theksoi se bashkëpunimi me KOKSH-in përfaqëson një vlerë të shtuar për klubin dhe për komunitetin sportiv të qytetit. Ai nënvizoi se investimi tek fëmijët dhe të rinjtë, përmes projekteve të strukturuara dhe të qëndrueshme, është çelësi për ndërtimin e ekipeve konkurruese në të ardhmen dhe për forcimin e sportit elbasanas në të gjitha nivelet.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e KOKSH-it ritheksuan angazhimin e institucionit për të mbështetur projektet që synojnë përfshirjen sa më të gjerë të nxënësve në aktivitetet sportive, duke krijuar një bazë të shëndetshme për zhvillimin fizik, edukimin me vlera sportive dhe evidentimin e talenteve që mund të përfaqësojnë klubet dhe Shqipërinë në të ardhmen.
Në përfundim të takimit, palët ranë dakord të vijojnë bashkëpunimin e ngushtë, duke forcuar lidhjen mes sportit shkollor dhe atij të organizuar në klub, me synimin për të furnizuar ekipet zinxhir të Klubit Shumësportësh Elbasani me sportistë të rinj të formuar në kuadër të programeve të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Ky bashkëpunim përbën një hap konkret drejt krijimit të më shumë mundësive për të rinjtë, forcimit të frymës sportive dhe ndërtimit të një Elbasani më sportiv, më aktiv dhe më konkurrues në arenën kombëtare.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.