Një çështje penale që bën fjalë për arrestimin e oficerit të policisë Edison Pema në Elbasan, ka sjellë zbulimin e 5 punonjësve të tjerë policorë dhe 1 qytetari në përfshirjen e aktivitetit të paligjshëm të basteve sportive.
Edison Pema, u arrestua në muajin qershor 2025, pasi siç rezultoi dhe nga hetimi penal ai i kërkonte në formë gjobe 10 mijë euro një qytetari nga Kosova me inicialet E.S.
Sipas dosjes hetimore shtetasi Kosovar nuk ka qënë në gjendje të paguajë. Por gjatë një takimi që ka pasur me punonjësin e policisë Edison Pema, ky i fundit ia ka vënë pistoletën e shërbimit në brez duke e kërcënuar me fjalët:
“…ose do paguash lekët, ose do bësh ngjarje për mua…ose unë do të vras, do të fus plumbin…”.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se aktualisht Edison Pema ndodhet në burg, por nga çështja e tij penale, doli një dosje tjetër ku të përfshirë rezultojnë 5 oficerë policie, mes të cilëve dhe një efektiv i Repartit RENEA.
Punonjësit e policisë kanë dalë pas këqyrjes së telefonit të Edison Pema dhe përgjimit të telefonave, ku rezultojnë të jenë përfshirë në aktivitet të paligjshëm kriminal, në organizim të basteve sportive, luajtje të llotove dhe “Shpërdorim detyre”
Nisur nga kjo situatë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe prokuroria e Elbasanit, kanë ndërmarrë 5 masa sigurimi ndaj punonjësve të policisë dhe 1 qytetari në Elbasan.
Mes personave që është ndërmarrë masë sigurimi janë punonjësit e policisë si më poshtë vijon:
Denis Sinani shef krimesh në Komisariatin e Devollit.
Ersit Dogra me detyrë trupë shërbimi operacional pranë seksionit special të ndërhyrjes Taktike në njësinë special “RENEA”.
Enea Kapllani ndihmës specialist në postën kufitare të Morinës.
Aldi Molla përgjegjës Turni pranë stacionit policor Morinë.
Gezim Beqiraj ndihmës specialist dhe kontrollor në pikën kufitare të Morinës.
I. T. qytetari që kishte lloton në Elbasan. /Syri.net
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.