Vendimi i arbitrit për të akorduar penalltinë e dytë në favor të Elbasanit ka shkaktuar reagime të forta dhe polemika të shumta pas ndeshjes. Gazetari sportiv Alban Shingjergji u shpreh hapur kundër këtij vendimi, duke e cilësuar atë si të gabuar dhe të pajustifikuar.
Sipas tij, në momentin e pretenduar për penallti, lojtari mbrojtës nuk ka kryer shkelje, pasi dora ndodhej në pozicion të lartë dhe jo në një lëvizje të qëllimshme për të penguar topin. “Dorën e kishte lartë, por nuk kishte asnjë qëllim për të ndalur aksionin. Nuk mund të jepet penallti për çdo prekje të topit me dorë”, u shpreh i revoltuar Shingjergji.
Gazetari theksoi se arbitrat duhet të tregojnë më shumë kujdes në raste të tilla, pasi vendime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes dhe në ecurinë e skuadrave në kampionat. Sipas tij, ky episod dëmtoi ndjeshëm besueshmërinë e arbitrimit dhe ndezi debatet mes tifozëve dhe analistëve sportivë.
Reagimi i Shingjergjit i shtohet zërave kritikë që kërkojnë më shumë qartësi në përdorimin më korrekt të teknologjisë VAR, për të shmangur vendime të diskutueshme në të ardhmen.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.