Elbasan – Ka nisur zyrtarisht puna për rilindjen e lagjes historike Kala të Elbasanit, një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit. Sot u zhvillua takimi i parë i punës në kuadër të Analizës Fillestare së kësaj lagjeje, ku ekspertë të fushave të ndryshme diskutuan qasjet strategjike dhe vizionare për rikualifikimin dhe rijetëzimin e saj.

Në fokus të diskutimeve ishte koncept-idea e projektimit, e cila synon të shërbejë si një udhërrëfyes i ri për zhvillimin e Kalasë, duke ruajtur autenticitetin historik dhe arkitektonik, si dhe duke krijuar hapësira të reja për zhvillim të qëndrueshëm kulturor, turistik dhe ekonomik.
Projekti po realizohet nga BID Elbasan, në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), me qëllim ndërtimin e një vizioni të përbashkët për ta shndërruar lagjen Kala në një destinacion referencë, të gjallë dhe të integruar ngushtë me identitetin dhe jetën urbane të qytetit.
Ky hap i parë shënon fillimin e një procesi të rëndësishëm, i cili pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm në zhvillimin afatgjatë të Elbasanit, duke e kthyer Kalanë në një motor të ri për turizmin, kulturën dhe ekonominë lokale.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.