Elbasan/ Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Bardhyl Popa” vizitojnë ambientet e Drejtorisë së Policisë

Me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit dhe në kuadër të aktiviteteve të organizuara për “Javën e Dyerve të Hapura për Qytetarët”, ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u vizituan nga nxënës të shkollës 9-vjeçare “Bardhyl Popa”, të shoqëruar nga stafi pedagogjik.

Nxënësit u mirëpritën nga Zëvendësdrejtori për Sigurinë dhe Rendin Publik, Kryekomisar Blerim Berbati, i cili i informoi mbi rolin dhe misionin e Policisë së Shtetit, rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin, si dhe mbi kontributin e Policisë në garantimin e rendit, sigurisë publike dhe parandalimin e fenomeneve negative në shkolla.

Gjatë vizitës, nxënësit u njohën nga afër me strukturat dhe sektorët kryesorë të Policisë, si Zyra e Shërbimit për Qytetarët, Policia Rrugore, Policimi në Komunitet dhe Salla e Komandimit, ku patën mundësinë të shihnin konkretisht mënyrën e funksionimit dhe angazhimin e punonjësve të Policisë në shërbim të qytetarëve.

Nxënësit dhe mësuesit e tyre shprehën mirënjohje për mikpritjen dhe përkushtimin e Policisë së Shtetit, duke u angazhuar për forcimin e bashkëpunimit dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie, me qëllim krijimin e një ambienti më të sigurt dhe më të qetë për të gjithë.