Mot i acartë në Qarkun Elbasan, termometri zbret në -15 gradë Celsius

Qarku i Elbasanit vijon të jetë i përfshirë nga moti i ftohtë, me temperatura shumë të ulëta, të cilat në zonat malore kanë zbritur nën -10°C.

Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë janë regjistruar reshje dëbore, ndërsa temperaturat kanë arritur deri në -15°C. Rruga është pastruar dhe trajtuar me kripë dhe qarkullimi vijon normalisht.

Në akset Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Tiranë (aksi i vjetër nga Krraba) nuk ka prezencë dëbore, ndërsa kriposja ka vijuar në pikat problematike.

Prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës janë ulur dhe aktualisht nuk paraqesin rrezikshmëri.

Që prej mesditës së djeshme vijojnë shkarkimet nga HEC Banjë në sasinë 290 m³/sek, ndërsa së bashku me prodhimin shkarkimi total arrin në 390 m³/sek. Vendimi për vijueshmërinë e shkarkimeve pritet në orën 08:00.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, probleme janë evidentuar në fiderin që furnizon Njësitë Administrative Tunjë, Kushovë dhe Skënderbegas në Bashkinë Gramsh. Sipas OSHEE, defektet pritet të zgjidhen gjatë orëve në vijim.

Top Channel