Dalipi: Elbasani mund të synojë më shumë sesa “Final 4”, ja baza e suksesit te verdheblutë

Elbasani po zhvillon një sezon pozitiv dhe renditja aktuale e konfirmon qartë këtë. Verdheblutë ndodhen në vendin e dytë të tabelës, një pozicion që përputhet me objektivat e vendosura në fillim të kampionatit, edhe pse dy ndeshjet e fundit kanë sjellë një ndalesë në ecurinë e skuadrës.

 Megjithatë, këto luhatje nuk e zbehin punën e bërë deri tani dhe nuk ndryshojnë panoramën e përgjithshme të sezonit. Një nga zërat e “rëndë” dhe emrat që e njeh mirë realitetin verdheblu është Kujtim Dalipi, ish-futbollist i Elbasanit, Partizanit dhe ekipit Kombëtar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Dalipi analizon situatën aktuale të skuadrës, vlerëson pikat e forta, ndalet te dy ndeshjet e fundit dhe jep mendimin e tij për merkaton e janarit, ku sipas tij përforcimet duhet të jenë të studiuara dhe të fokusuara te repartet që bëjnë diferencën.

Z. Dalipi, si e vlerësoni ecurinë e Elbasanit deri në këtë moment të sezonit?

Në tërësi, Elbasani ka bërë mirë. Skuadra ka qenë konstante dhe ka treguar se di të konkurrojë. Dy ndeshjet e fundit nuk kanë qenë në nivelin e duhur, por kjo ndodh në një sezon të gjatë. E rëndësishme është që ekipi të mos humbasë qetësinë dhe identitetin e tij.

A janë këto dy ndalesa një sinjal shqetësues?

Jo, nuk mendoj kështu. Janë momente normale gjatë kampionatit. Çdo skuadër ka ulje-ngritje. Rëndësi ka reagimi dhe mënyra se si ekipi i përballon këto momente.

Vendi i dytë në renditje është brenda pritshmërive?

Absolutisht po. Është brenda objektivave dhe meriton përgëzime. Të jesh në vendin e dytë do të thotë se ke bërë shumë gjëra mirë deri tani, si lojtarët ashtu edhe stafi teknik.

Cilat janë pikat më të forta të Elbasanit sipas jush?

Porta dhe qendra e mbrojtjes. Janë repartet që i kanë dhënë siguri ekipit. Portieri ka qenë vendimtar në shumë ndeshje, ndërsa mbrojtja qendrore ka funksionuar mirë. Falë tyre, Elbasani ka marrë shumë pikë deri tani.

Ku mendoni se ekipi ka më shumë nevojë për ndërhyrje në merkato?

Prioriteti kryesor është sulmi. Elbasanit i duhen lojtarë që të zgjidhin ndeshjen, që shënojnë gola dhe marrin përgjegjësi në momentet kyçe. Ka pasur ndeshje ku skuadra ka krijuar, por i ka munguar konkretizimi.

A duhet të mendohet edhe për përforcime në repartet e tjera?

Po, patjetër. Kampionati është i gjatë dhe Elbasani do të luftojë edhe në Kupë, ndaj duhen më shumë opsione. Një mbrojtës krahu do të ishte i nevojshëm për të rritur konkurrencën dhe alternativat, ndërsa edhe në mesfushë një lojtar me eksperiencë do t’i jepte më shumë qetësi dhe rotacion ekipit.

Pra, merkatoja më shumë për thellim të organikës?

Pikërisht. Elbasani ka një bosht të konsoliduar dhe nuk ka nevojë për revolucion. Duhet të ruhet ekuilibri aktual, por me disa përforcime cilësore që e mbajnë nivelin e skuadrës të lartë edhe kur ka mungesa apo lodhje.

Çfarë objektivi realist shihni për Elbasanin në vazhdim?

Të qëndrojë në zonën e sipërme dhe të luftojë deri në fund. Me disa afrime të goditura, Elbasani mund të synojë shumë më tepër sesa thjesht pjesë e “Final 4”.

Një mesazh për lojtarët dhe tifozët verdheblu?

Të kenë besim dhe durim. Skuadra ka potencial dhe po bën një punë të mirë. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme, sidomos në momentet e vështira.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL