Bylisi rikthehet te fitorja pas një periudhe të gjatë pa sukses, edhe pse në stol mungonte trajneri Josa për shkak pezullimi.
Ndihmësi i tij, Arlind Rustemi, ka udhëhequr skuadrën me profesionalizëm, duke arritur një triumf bindës. Sfida në “Adush Muçaj” nuk kishte vetëm lojë të fortë në fushë, por edhe tension dhe atmosferë të zjarrtë nga tifozët, me mbi 1000 spektatorë që nuk kursyen as ngacmimet e tyre ndaj lojtarëve. Gjyqtimi i kryesorit Yzeiraj dhe kartonët e dhënë, emocionet e trajnerit kundërshtar Ivan Gvozdenoviç dhe festa pas ndeshjes së Bylisit pas shumë javësh pa fitore, e bënë këtë takim një episod të paharrueshëm për tifozët dhe futbollin e Ballshit.
– Bylisi fiton edhe pa trajner, teksa Josa nuk ka qenë në stol për shkak pezullimi, ndërsa Arlind Rustemi, ndihmësi i tij, ka zbatuar më së miri detyrat dhe skuadra ka realizuar një fitore bindëse.
– Një numër i madh tifozësh, djemë Ballshi, si vendas që binin në sy në ballore, ashtu edhe miq. Nuk mungoi tifo-grupi “Tigrat Verdheblu”, që jo pak herë hodhën edhe sende në fushë apo ngacmonin lojtarët e Bylisit gjatë rivënieve. Në “Adush Muçaj” ka pasur 1000-1200 tifozë, një nga shifrat më të larta deri më tani.
– Mjaft nervoz është shfaqur trajneri Ivan Gvozdenoviç, sidomos kur skuadra ka shënuar golin e dytë, madje është parë që të bisedojë gjatë edhe me kolegët e tij në staf.
– Dhjetë kartonë të verdhë dhe 1 i kuq janë akorduar nga kryesori Yzeiraj në sfidën e luajtur në Ballsh, një numër i lartë kartonësh dhënë deri më tani.
– Janë irrituar vendasit për faullin e akorduar ndaj Adeduros, që më pas solli edhe golin e parë të miqve, sipas ballshiotëve që kanë bërë edhe VAR me telefon: topi është larguar në mënyrë korrekte nga nigeriani i tyre.
– Në fund ka pasur festë të lojtarëve vendas me tifozët e tyre për këtë sukses mjaft të çmuar, ndërsa kanë duartrokitur skuadrën e tyre edhe fansat miq, që e mbështetën gjatë 90 minutave, por nga rezultati dolën mjaft të zhgënjyer.
– Pas shtatë javësh, Bylisi gjen fitoren, pasi të fundit e kishte realizuar ndaj Tiranës në transfertë 0-2 në “Selman Stërmasi”. Kurse fitoren në shtëpi e gjen pas tetë javësh, ndaj Vorës, ndeshja e fundit e fazës së parë 2-1; në atë duel dilte me të kuqe Abazaj.
PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.