Elbasani po zhvillon një sezon mjaft pozitiv, duke u shfaqur si një nga skuadrat më konstante të kampionatit dhe duke kryesuar renditjen falë një organizimi të fortë dhe një harmonie të dukshme brenda grupit. Një nga repartet që ka spikatur më shumë gjatë këtij viti është mbrojtja, e cila ka dhënë siguri dhe stabilitet në momentet vendimtare të sezonit.
Në këtë kuadër, Emiljano Musta është vlerësuar edhe individualisht, duke u përfshirë në formacionin e vitit, një vlerësim që pasqyron jo vetëm paraqitjet e tij personale, por edhe punën kolektive të ekipit verdheblu. Për mbrojtësin, ky çmim përbën një motivim shtesë për të vijuar me të njëjtin përkushtim, por pa humbur fokusin nga objektivat e skuadrës.
Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, Musta flet për emocionet pas këtij vlerësimi, garën për vendin e parë, forcën e grupit, rëndësinë e fazës difensive, si edhe për sfidën e radhës në transfertë ndaj Bylisit, duke theksuar se Elbasani ka pjekurinë dhe personalitetin për të luftuar deri në fund për pozicionet e kreut.
Si ndiheni pas vlerësimit në formacionin e vitit?
Është kënaqësi sa herë që nderohesh me një çmim për punën e bërë përgjatë gjithë vitit, dhe aq më tepër kur vlerësimi vjen nga kolegët e tu.
Sa ju stimulon ky fakt për të vazhduar përpara?
Për mua nuk kanë shumë rëndësi çmimet individuale në një lojë kolektive siç është futbolli, por patjetër që më motivon të vazhdoj edhe në vitin 2026 me të njëjtin ritëm si ky vit që po lëmë pas.
Ndërkohë, me Elbasanin këtë vit jeni në krye. E prisnit?
Ekipi po punon mjaft mirë gjatë këtij viti dhe jemi aty falë punës së palodhur që bëjmë çdo ditë në stërvitje dhe në ndeshje, kështu që nuk është aspak surprizë për ne.
Duket se reparti më i vlerësuar është mbrojtja. Sa e rëndësishme është për një ekip?
Siç e ceka edhe pak më lart, futbolli është një lojë kolektive dhe të jesh mbrojtja më e mirë do të thotë që i gjithë ekipi po punon shumë mirë në fazën difensive.
Ndeshja e radhës me Bylisin, si e prisni?
Ndeshja në Ballsh është një transfertë ku çdo ekip has vështirësi për të dalë me pikët e plota. Parashikoj një ndeshje me duele dhe mjaft të luftuar, por besoj se do t’ia dalim të vazhdojmë në rrugën e duhur me rezultate pozitive.
Sa e vështirë është ta mbash vendin e parë?
Patjetër që është e vështirë të arrish vendin e parë dhe akoma më e vështirë ta mbash atë. Deri më tani jemi në drejtimin e duhur dhe ekipi ka treguar se ka pjekuri dhe personalitet për të luftuar për vendet e para në renditje.
Dy ndeshje nga fundi, mund të shpalleni kampionë dimri. Ju stimulon kjo gjë?
Kampioni i dimrit është thjesht një statistikë, por duhet të vazhdojmë në këto ritme dhe shpresoj që në maj të jemi përsëri në vendin e parë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.