Bashkia Elbasan mori pjesë në Konferencën Kombëtare të Financave Klimatike, një platformë e rëndësishme për nxitjen e investimeve klimatike dhe forcimin e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri.
Një moment i veçantë i kësaj konference ishte prezantimi i Kontratës së Qytetit për Klimën të Elbasanit, e cila përfaqëson nismën e parë të këtij lloji në nivel vendor në vend. Kjo kontratë forcon rolin e pushtetit lokal në planifikimin dhe zbatimin e investimeve për klimën, duke e pozicionuar Elbasanin si një model për qeverisjen vendore në fushën e veprimit klimatik.
Konferenca bëri bashkë institucione kyçe kombëtare dhe partnerë ndërkombëtarë, përfshirë UNDP, GIZ, Bankën Botërore, IUCN, GCF dhe UNESCO, me fokus të veçantë te mundësitë për mobilizimin e fondeve klimatike dhe aksesimin e instrumenteve financiare pas COP30.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Ministri i Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të rolit aktiv të bashkive në përballimin e sfidave klimatike dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër dhe të qëndrueshme për vendin.
Bashkia Elbasan vijon angazhimin e saj për politika dhe projekte konkrete që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, reduktimin e ndikimeve klimatike dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.

ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.