Ish-trajneri i Elbasanit, File: Super ndaj Vllaznisë, ekipi të ruajë qetësinë

Pas fitores së rëndësishme ndaj Vllaznisë, që ka rritur ndjeshëm moralin dhe besimin te skuadra verdheblu, Elbasani duket se po mban hapin e pretendenteve seriozë.

Për të analizuar momentin aktual të ekipit, rëndësinë e këtij suksesi dhe sfidat që e presin në vazhdim, flet në një intervistë për “Panorama Sport”, Ilirjan File, ish-futbollist dhe ish-trajner i Elbasanit, një nga figurat që e njeh më mirë historinë dhe mentalitetin e këtij klubi. File flet për paralelet me skuadrën kampione të 2005- 2006, ku ka qenë ndihmësi i Ilir Dajës në pankinë, për rrezikun e euforisë, për ndeshjen e radhës me Vorën dhe për atmosferën që po krijohet rreth ekipit.

File, Elbasani arriti një fitore shumë të rëndësishme ndaj Vllaznisë. Si e patë ju këtë ndeshje?

Fitorja ndaj Vllaznisë ishte më shumë sesa tre pikë. Ekipi tregoi karakter, lojtarët luftuan deri në sekondën e fundit dhe e merituan këtë rezultat. Ishte një përballje që testoi maturinë dhe personalitetin e skuadrës dhe Elbasani dha sinjale shumë pozitive.

Sa e rëndësishme është vazhdimësia për objektivat e sezonit?

Vazhdimësia është çelësi i suksesit. Një fitore e madhe nuk do të thotë asgjë nëse ndeshja pasuese nuk e konfirmon ritmin. Kampionatin e fiton ai që mban qetësi, që punon në heshtje dhe që nuk bie në grackën e luhatjeve. Këtu duhet të fokusohet Elbasani.

Tani vjen ndeshja me Vorën. Si mendoni se duhet qasur ky duel?

Ndeshjet që duken të “lehta” në letër janë më të vështirat, sepse ka rrezik që lojtarët të humbin fokusin. Vora është skuadër që të ndëshkon sapo t’i japësh hapësirë dhe Elbasani e pësoi në fazën e parë. Skuadra duhet të futet në fushë me të njëjtin intensitet si ndaj Vllaznisë. Nëse e merr me seriozitet maksimal, atëherë edhe rezultati pozitiv vjen natyrshëm.

A shikoni ndonjë paralelizëm mes këtij ekipi dhe skuadrës kampione të sezonit 2005-2006?

Sigurisht, në disa elementë ka ngjashmëri, por duhet të pranojmë se ndryshojnë kohët, ndryshon futbolli dhe nuk është e lehtë të bësh paralelizma, edhe për faktin se kanë kaluar 20 vite. Në atë kohë kishim grup shumë të fortë, besonim te njëri-tjetri dhe kishim vazhdimësi në lojë e rezultate. Edhe sot Elbasani po tregon pikërisht këto elemente: unitet, disiplinë dhe bindje në fushë.

Sa e rëndësishme është vazhdimësia për objektivat e sezonit?

Vazhdimësia është çelësi i suksesit. Një fitore e madhe nuk do të thotë asgjë nëse ndeshja pasuese nuk e konfirmon ritmin. Kampionatin e fiton ai që mban qetësi, që punon në heshtje dhe që nuk bie në grackën e luhatjeve. Këtu duhet të fokusohet Elbasani.

A keni ndonjë këshillë për lojtarët?

Po. Të mos kenë eufori. Ky është rreziku më i madh pas fitoreve të mëdha. Të kuptojnë që çdo javë fillon një kapitull i ri. Të punojnë me të njëjtin përkushtim dhe të respektojnë çdo kundërshtar. Kampionatet fitohen me mendje të ftohtë.

E shihni këtë qetësi e mungesë euforie edhe te drejtuesit dhe stafi aktual?

Po dhe kjo është pozitive. Drejtuesit dhe trajneri po e menaxhojnë mirë atmosferën. Ka profesionalizëm, nuk ka deklarata të tepërta, nuk fryhet situata artificialisht. Kjo i ndihmon lojtarët të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të vazhdojnë rrugën drejt objektivave.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL