Para sfidës së rëndësishme të ditës së sotme mes Teutës dhe Elbasanit në stadiumin “Niko Dovana”, kapiteni i durrsakëve, Blerim Kotobelli, ka ndarë mendimet e tij mbi atmosferën në skuadër, pritshmëritë dhe objektivat për këtë përballje.
Në një moment kyç të sezonit, ai thekson se ekipi është i bashkuar, i përgatitur dhe i motivuar për të dhënë më të mirën përpara tifozëve të vet.
Si është atmosfera në ekip para ndeshjes së nesërme? Atmosfera është shumë pozitive. Kemi punuar fort gjatë javës dhe lojtarët janë të motivuar. E dimë rëndësinë e ndeshjes dhe jemi të përqendruar maksimalisht.
Çfarë prisni nga Elbasani në këtë përballje? Elbasani është një skuadër që nuk duhet nënvlerësuar. Kanë disiplinë dhe lëvizin mirë me topin. Do të jetë një ndeshje e fortë, por ne do të përpiqemi të vendosim ritmin tonë që nga minuta e parë.
A ndjeni presion duke luajtur në shtëpi, përpara tifozëve tuaj? Nuk e shoh si presion, përkundrazi. Kur luajmë në “Niko Dovana”, ndjejmë mbështetjen e tifozëve dhe kjo na jep forcë. Duam t’i bëjmë ata krenarë.
Cili është objektivi i Teutës për këtë ndeshje? Objektivi është i qartë: të marrim tre pikët. Duam të tregojmë karakter, të luajmë futboll të bukur dhe të qëndrojmë të përqendruar në çdo moment.
Si e vlerësoni formën aktuale të skuadrës? Ekipi po rritet nga ndeshja në ndeshje. Ka ende gjëra për të përmirësuar, por jemi në rrugën e duhur. Më e rëndësishmja është që të gjithë lojtarët po japin maksimumin.
A keni një mesazh për tifozët para ndeshjes? I ftoj të gjithë tifozët të jenë pranë nesh si gjithmonë. Zëri i tyre është shtytje e madhe për ne. Së bashku mund të arrijmë rezultatet që dëshirojmë.
Mbyllen përgatitjet anti-Elbasani
Me një seancë stërvitore të zhvilluar dje, “blutë” e drejtuar nga Enkelejd Dobi kanë kryer me sukses seancën e fundit përpara ndeshjes ndaj Elbasanit. Gjendja shëndetësore dhe fizike e ekipit është shumë e mirë, dhe grupi pritet të jetë i plotë. Bëjnë përjashtim dëmtimi i Dokës.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.