Rudolf Deliana shpallet “Qytetar Nderi” i Elbasanit. Homazh për ikonën e arsimit dhe Normalen historike

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka akorduar pas vdekjes titullin e lartë “Qytetar Nderi” për mësuesin e nderuar të gjuhës shqipe dhe ish-Normalistin Rudolf Deliana, me motivacionin “Për kontributin, pasionin dhe përkushtimin e tij në formimin e brezave të rinj dhe zhvillimin e arsimit e kulturës në qytetin e Elbasanit.”
Rudolf Deliana u konsiderua gjerësisht një prej mësuesve më të respektuar të gjuhës shqipe, formuar në Shkollën Normale të Elbasanit, institucionin simbol të arsimimit kombëtar. Karriera e tij prej disa dekadash mbeti e lidhur ngushtë me edukimin e nxënësve, të cilët ai i përgatiti jo vetëm me njohuri, por edhe me vlera qytetare e njerëzore.
Me shpalljen “Qytetar Nderi”, Bashkia e Elbasanit rikujton publikisht rolin që figurat si Deliana kanë luajtur në ndërtimin e profilit arsimor të qytetit, i cilësuar shpesh si qendra e traditës së mësuesisë shqiptare.
Ky nderim përbën jo vetëm një homazh për veprimtarinë e mësuesit, por edhe një mesazh të qartë për të rinjtë, se puna, përkushtimi dhe dashuria për kulturën dhe dijen janë vlera që çmohen dhe lartësohen institucionalisht.
I njohur për për profesionalizmin, integritetin dhe aftësinë për t’i frymëzuar të rinjtë, Deliana mbetet një figurë model në historinë e arsimit të qytetit.. Përveç punës si mësues, ai drejtoi edhe Shoqatën “Normalisti”, duke u bërë një nga figurat kyçe për ruajtjen e traditës së Shkollës Normale.
Përmes këtij titulli, emri i tij i bashkohet listës së personaliteteve që kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimin qytetar, kulturor dhe arsimor të Elbasanit., një trashëgimi që do të frymëzojë edhe brezat e ardhshëm.
Figura e Rudolf Delianës, si mësues, intelektual dhe qytetar i përkushtuar, do të mbetet e gjallë në kontributet e tij për arsimin.