Elbasani po i jep dorën e fundit përgatitjeve për sfidën e rëndësishme që do të zhvillojë nesër ndaj Teutës, një duel që vjen në një moment pozitiv për verdheblutë, të cilët aktualisht kryesojnë kampionatin.
Trajneri Ivan Gvozdenoviç, megjithatë, mbetet i kujdesshëm: ai kërkon që skuadra të ruajë qetësinë, të shmangë çdo formë euforie dhe të fokusohet vetëm te loja dhe objektivat afatshkurtër. Lajmi i mirë për teknikun serb është se grupi është i plotë dhe konkurrueshmëria brenda skuadrës po rritet. Elbasani udhëton drejt Durrësit me ambicie për të marrë maksimumin, por edhe me vetëdijen se i pret një kundërshtar me traditë dhe eksperiencë në elitë.
PËRBALLJET – Historiku mes dy skuadrave në Superiore tregon se Teuta ka qenë gjithmonë një rival i fortë, jo vetëm për Elbasanin, por për çdo ekip të kampionatit. Megjithatë, statistikat e viteve të fundit u buzëqeshin verdhebluve. Në pesë takimet e zhvilluara mes tyre në Superiore, Elbasani ka arritur të marrë dy fitore dhe tre barazime, një bilanc që i favorizon elbasanasit si në rezultat ashtu edhe në aspektin psikologjik. Vlen të theksohet se tre barazimet kanë ardhur gjithmonë me rezultatin 0-0, çka tregon qartë se Elbasani ka ditur të administrojë mirë ndeshjet dhe të mbajë portën të paprekur ndaj durrsakëve. Edhe më i rëndësishëm është precedenti i Kupës së Shqipërisë në sezonin e kaluar, kur elbasanasit eliminuan Teutën në Durrës pas fitores 0-2 në kohën shtesë, pasi koha e rregullt ishte mbyllur pa gola.
Një nga të dhënat që bie në sy është se Elbasani ka pësuar vetëm një gol në gjashtë ndeshjet e fundit ndaj Teutës, një gol që erdhi në një humbje 3-1, por që në fund nuk pati peshë për pozicionimin e verdhebluve. Kjo statistikë tregon qartazi se durrsakët e kanë pasur të vështirë të çajnë mbrojtjen elbasanase, pavarësisht faktorëve të tjerë si forma sezonale ose terreni. Duke iu referuar këtyre të dhënave, skuadra e Gvozdenoviçit shkon në Durrës me moral të mirë, por pa e tepruar me vetëbesim. Tekniku serb e di se statistikat nuk fitojnë ndeshje dhe se fusha e lojës shpesh përmbys çdo parashikim. Për këtë arsye, ai kërkon qasje të kujdesshme, vendosmëri dhe përqendrim maksimal, elementë thelbësorë për një sfidë që pritet të jetë e luftuar dhe me ritëm të lartë.
KREU – Për Elbasanin, sfida e nesërme nuk ka vlerë vetëm në aspektin statistikor apo emocional, por edhe në atë të objektivave të sezonit. Verdheblutë e shohin këtë ndeshje si një mundësi të artë për të mos lëshuar kreun e renditjes, një pozicion që e kanë merituar me lojë të qëndrueshme dhe rezultate të rëndësishme. Fitimi i tri pikëve në Durrës do të konfirmonte seriozitetin e rrugëtimit të tyre dhe do t’u jepte hapësirë të frymojnë më lirshëm në javët e ardhshme, sidomos në një kampionat ku diferencat mes ekipeve kryesuese janë minimale. Pikërisht për këtë arsye, ekipi e sheh ndeshjen ndaj Teutës si një provë karakteri dhe pjekurie, ku duhet të shfaqë jo vetëm cilësi teknike, por edhe stabilitet psikologjik për të ruajtur statusin e kryesuesit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.