U ekzekutua mbrëmjen e së dielës në makinën e tij në Elbasan! Nën masa të rrepta sigurie, përcillet sot në banesën e fundit biznesmeni

Nën masa të rrepta sigurie zhvillohet sot ceremonia e lamtumirës për biznesmenin Mondi Mëhalla (Edmond Hyka), 43 vjeç, i cili u vra mbrëmjen e së dielës brenda automjetit të tij. Ceremonia mortore pritet të mbahet në orën 10:00, ndërsa paralelisht policia vijon operacionet për identifikimin e personave të përfshirë në atentat.

Sakaq mbrëmjen e kaluar, Naldo Gjini, nga Lezha është shoqëruar për t’u marrë në pyetje, pasi dyshohet se mund të ketë njohuri lidhur me një konflikt të fundit që viktima kishte pasur disa ditë para vrasjes.

Ndërkohë, ky është emri i parë që po hetohet si i përfshirë në ekzekutimin e tipit mafioz, për të cilin strukturat policore kanë nisur kërkime të zgjeruara në disa qytete të vendit.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.

Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me mjein tip “Audi” të zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes./ Dosja.al