Dhunës ndaj grave në Shqipëri po i ndryshon forma, por jo ashpërsia. Në Elbasan, gjatë vitit 2025, specialistët kanë vërejtur një fenomen të ri shqetësues. Dhuna fizike po zëvendësohet me dhunë dixhitale, një formë e fshehtë, por po aq shkatërruese.
Organizatat që punojnë me gratë në këtë qytet raportojnë se rrjetet sociale janë kthyer në mjedisin kryesor të sulmeve, që shpesh degradojnë në kërcënime dhe përndjekje virtuale.
Sipas psikologes së Forumit të Gruas në Elbasan, Mirela Gjoni, rreth 80% e njohjeve online të grave shoqërohen me forma të ndryshme presioni, manipulimi dhe dhune psikologjike.

‘Fokusi këtë vit është dhuna online. Pse është në fokus kjo? Sepse pjesën më të madhe të kohës sot e kalojmë në rrjetet sociale dhe duke pasur një akses kaq të lartë, jeta jonë është kthyer në një jetë online dhe aty po ndodhin format më të ndryshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Kemi një rritje jo vetëm në zonat urbane por edhe në ato rurale. Rastet e dhunës digjitale janë në rritje, janë 260 raste në vit në të gjithë qarkun e Elbasanit. 80% e njohjeve bëhen në rrjetet sociale’, tha ajo.
Vetëm gjatë vitit 2025, 160 gra i janë drejtuar Bashkisë së Elbasanit për ndihmë, duke konfirmuar rritjen alarmante të rasteve dhe përhapjen masive të dhunës dixhitale.

Vetëm në Forumin e Gruas në Elbasan gjatë këtij viti regjistrohen 260 raste të dhunës me bazë gjinore. Mesazhi që u dha nga zemra e Elbasanit ishte i qartë, se dhuna dixhitale nuk është thjesht një problem personal, por një plagë shoqërore që kërkon reagim të përbashkët.
Aktorët e shoqërisë civile, institucionet, të rinjtë dhe qytetarët që u bashkuan në aktivitetin “Stop dhunës dixhitale” dëshmuan se ndërgjegjësimi është hapi i parë drejt ndryshimit.

ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.