Zona e Funarit, një prej perlave natyrore të Elbasanit, po vijon transformimin falë projektit IPA III CBC “Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, i realizuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe pjesë e programit IPA III CBC.
Investimi i ri synon të përmirësojë infrastrukturën dhe ofertën turistike në zonë, duke shtuar elemente konkrete zhvillimi, ku përfshihen:
Ngritja e një hapësire të re rekreative dhe aventureske, e dedikuar për vizitorët dhe të rinjtë e komunitetit lokal. Krijimi i një parkimi të aksesueshëm për mjetet nën 3.5 ton, si dhe shënjimi i shtigjeve turistike me sinjalistikë drejt kanioneve të Dopaj. Vendosja e tabelave orientuese për te kanionet e Dopaj Canyon, me fokus rritjen e sigurisë dhe orientimit për turistët. Trajnime për sipërmarrësit lokalë në turizëm dhe ekonomi të qëndrueshme, për të nxitur modelin e biznesit të gjelbër dhe turizmin kurativ malor.
“Ky projekt është një hap i ri strategjik për ta kthyer Funarin në një portë hyrëse të turizmit të aventurës dhe zhvillimit rural me standarde europiane. Ne po e ndërtojmë këtë destinacion jo vetëm si atraksion natyror, por si një model ekonomik me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet,” tha kryetari i bashkisë, Gledian Llatja.
Ky investim vjen si vazhdimësi e programit IPA II CBC, që solli më herët ndërtimin e pikës informuese turistike Funar Infopoint dhe pistën e parashutizmit, zhvillime që e pozicionuan Funarin si destinacion të turizmit malor dhe sporteve ajrore.
Me këto investime të reja dhe me përfshirjen në Paketën e Maleve, Funari do të marrë një rol edhe më të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit të aventurës në Shqipëri – duke sjellë më shumë zhvillim, më shumë vizitorë dhe më shumë mundësi për komunitetin lokal.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.