“E jona Shqipëria”, një koncert i veçantë i nxënësve të shkollës artistike që përcolli emocion, talent dhe krenari kombëtare, u mbajt mbrëmë në skenën e Teatri Skampa.
Aktiviteti, i organizuar nga Shkolla Artistike Onufri, përfshiu një koncert vokalo–instrumental dhe një ekspozitë pikture, të cilat erdhën të ndërtuara me pasion e përkushtim nga vetë nxënësit, si pjesë e kalendarit të veprimtarive për Festat e Nëntorit.

Salla u mbush me personalitete të rëndësishme të qytetit, mes tyre nënkryetarja e Bashkisë Elbasan, Klaudja Krasnika, kryetarja e Këshillit të Qarkut Elbasan, Ermira Urupi, drejtoresha e ZVA Elbasan, Vesa Liço, si dhe deputetja Aulona Bylykbashi. Ato vlerësuan punën artistike të nxënësve dhe angazhimin e stafit pedagogjik për zhvillimin e talenteve të reja.

Nën ngjyrat kuq e zi, atmosfera u shndërrua në një festë arti, muzike dhe krijimtarie, duke vënë në qendër talentin dhe energjinë e të rinjve tanë. Aktiviteti erdhi si pjesë e kalendarit të ngjarjeve që po organizohen në të gjitha shkollat e qytetit në kuadër të festave të Nëntorit.

Një mbrëmje që kujtoi se sa e bukur, e gjallë dhe frymëzuese është Shqipëria jonë – sidomos kur e shohim përmes syve të brezit të ri.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.