Në kuadër të Konferencës së Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri–Austri, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka prezantuar në Parlamentin Austriak potencialet investuese të Shqipërisë, me fokus të posaçëm në qytetin e Elbasanit si një nga zonat industriale më me peshë në vend.

Llatja e vlerësoi këtë përfaqësim si dëshmi të rolit të Elbasanit në hartën e zhvillimit ekonomik:
“Elbasani vijon të jetë një destinacion prioritar për investime të qëndrueshme, për shkak të pozicionit strategjik, infrastrukturës në zhvillim dhe burimeve njerëzore të kualifikuara. Bashkëpunimet ndërkombëtare të kësaj natyre përforcojnë vizionin tonë për një ekonomi lokale të hapur, konkurruese dhe të integruar me standardet europiane,” u shpreh Llatja.

Gjatë konferencës, Llatja theksoi në diskutimet e tij disa shtylla kryesore me interes të drejtpërdrejtë për sipërmarrjet austriake, duke evidentuar:
-pozicionin e Elbasanit si qendra më e madhe industriale e Shqipërisë, me avantazhe të konsiderueshme logjistike dhe ekonomike;
-mundësitë e investimit në industrinë përpunuese, energjinë e gjelbër, infrastrukturë dhe sektorët e inovacionit teknologjik;
-avantazhet konkurruese që pritet të sjellë axhenda e integrimit europian dhe qasja strategjike 2029, si një horizont i rëndësishëm ekonomik dhe institucional për vendin;
-potencialin për partneritete të reja midis sipërmarrjeve austriake dhe ekosistemit ekonomik shqiptar, përmes modeleve të bashkë-investimit dhe transferimit të ekspertizës.
Në atmosferën e festave kombëtare, përfaqësimi i Elbasanit në këtë forum merr një dimension simbolik dhe zhvillimor, duke e vendosur qytetin si urë të bashkëpunimit ekonomik me partnerët europianë dhe tregjet e interesit strategjik.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.