Elbasan/ Ura Antike e Kamarës rrezikon shembjen, përmbytjet kërcënojnë monumentin 300-vjeçar

Rrjedha e vrullshme e lumit Shkumbin ka vënë në rrezik serioz shembjen e Urës Antike të Kamarës, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore në qarkun e Elbasanit.

Banorët e lagjes Mirakë, pranë së cilës ndodhet ura, kanë dhënë alarmin për rrezikun e shkatërrimit të plotë, pasi një nga harqet kryesore është dëmtuar rëndë.

Ura e Kamarës ndodhet rreth 5 km larg qytetit të Librazhdit, në fshatin Mirakë të Njësisë Administrative Polis, dhe u shpall monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1963 për vlerat e saj historike dhe arkitektonike.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për të ruajtur këtë monument 300-vjeçar, për të shmangur shkatërrimin e tij të plotë nga përmbytjet e fundit.