Dita Kombëtare Kundër Bullizmit, deputetja Sara Mila apel për veprim: “Bullizmi nuk është shaka — është plagë që duhet ndalur”

Në kuadër të Ditës Kombëtare Kundër Bullizmit, deputetja Sara Mila ka dhënë një mesazh të fortë sensibilizues, duke theksuar se mijëra të rinj në Shqipëri përballen çdo ditë me forma të ndryshme dhune psikologjike, tallje dhe përjashtimi, veçanërisht në mjedisin online.

Deputetja Mila u shpreh se shumë prej të rinjve heshtin dhe mbeten të pambrojtur, ndonëse bullizmi lë pasoja të thella në zhvillimin emocional dhe shëndetin e tyre mendor.

Ajo njoftoi se në Kuvend ka paraqitur një nismë ligjore për ndalimin dhe ndëshkimin e gjuhës seksiste, denigruese dhe bullizuese në media dhe në hapësirën publike, me synimin për të vendosur standarde të reja dhe për të siguruar një mjedis më të sigurt, sidomos për vajzat, gratë dhe të rinjtë.

 “Bullizmi nuk është ‘shaka’ dhe as ‘sensacion mediatik’. Është dhunë që dëmton fëmijët dhe adoleshentët, ul vetëbesimin e tyre dhe i lë pasoja të rënda. Përgjegjësia është e përbashkët — e familjes, shkollës, institucioneve dhe medias,” deklaroi Mila.

Duke iu drejtuar të rinjve, ajo dha një mesazh të drejtpërdrejtë mbështetjeje:

 “Askush nuk ka të drejtë t’ju ulë apo t’ju frikësojë. Flisni, kërkoni ndihmë, mos u mbyllni. Zëri juaj vlen dhe ne jemi këtu për t’ju mbrojtur e dëgjuar.”

Deputetja Sara Mila nënvizoi se lufta kundër bullizmit kërkon ndërgjegjësim dhe veprim konkret nga të gjithë aktorët e shoqërisë, për të ndërtuar një mjedis më të shëndetshëm dhe të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë në vend.