Lumi Shkumbin del nga shtrati në Mirakë të Elbasanit, dëmtohet muri mbrojtës i një biznesi dhe kanali vaditës

Reshjet e pandërprera të orëve të fundit dhe prurjet e larta të lumenjve kanë shkaktuar probleme në qarkun e Elbasanit.

Lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati në fshatin Mirakë, pranë një biznesi privat, duke shembur një pjesë të murit mbrojtës të objektit. Për pasojë, është dëmtuar edhe kanali i furnizimit me ujë vaditës të fshatit, duke krijuar vështirësi për banorët dhe fermerët e zonës.

Ndërkohë, gjatë natës është raportuar edhe rënie gurësh në aksin kombëtar Elbasan–Librazhd, pranë kthesave të Murrashit. Kompania nënkontraktore ka ndërhyrë menjëherë për pastrimin e rrugës dhe qarkullimi është normalizuar.

Autoritetet lokale po monitorojnë situatën, pasi reshjet pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme.

Top Channel