Në Bashkinë Elbasan u zhvillua Tryeza Rrumbullake e Barazisë Gjinore, e cila mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve vendore, shkollave, sektorit të shëndetësisë, shërbimeve sociale dhe organizatave të shoqërisë civile.
Ky takim shënoi nisjen e punës së përbashkët për fushatën ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave”, me fokus të posaçëm te parandalimi i dhunës digjitale dhe forcimi i mekanizmave mbrojtës për gratë dhe vajzat në komunitetin elbasanas.
Gjatë tryezës u diskutuan një sërë temash të rëndësishme, mes tyre:
-hapat prioritarë për parandalimin e dhunës me bazë gjinore;
-forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional;
-roli i shkollave, psikologëve dhe prindërve në ndërgjegjësim dhe edukim;
-aktivitetet që do të zhvillohen gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit;
-mekanizmat e mbështetjes dhe raportimit për viktimat e dhunës.
Pjesëmarrësit theksuan nevojën për veprim të koordinuar dhe të vazhdueshëm, me synimin për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe më të përgjegjshëm për të gjitha vajzat dhe gratë në qytet.
Në kuadër të fushatës, Bashkia Elbasan i bashkohet thirrjes ndërkombëtare me mesazhin:
“Fund dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave!”
Bashkia shprehu mirënjohje për të gjithë aktorët që kontribuan në këtë tryezë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit për të ndërtuar një Elbasan më të sigurt, më mbështetës dhe më të ndërgjegjshëm.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.