Përfaqësues të UNDP-së dhe BE-së vizitojnë Bashkinë Elbasan: Nis projekti që fuqizon 100 gra dhe vajza drejt punësimit

Bashkia Elbasan mirëpriti sot përfaqësuesen e përhershme të UNDP në Shqipëri, Znj. Randi Davis, dhe përfaqësuesin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Z. Miha Pezelj, të shoqëruar nga ekipet e tyre, në kuadër të projektit “BE për Përfshirjen në Tregun e Punës”. Projekti po zbatohet falë bashkëpunimit me organizatat Tjetër Vizion, LRER dhe Joscelyn.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili priti delegacionin, e vlerësoi projektin si një investim të rëndësishëm social për komunitetin:

“Jemi të angazhuar për të zbatuar nisma që promovojnë përfshirjen sociale, krijojnë mundësi të reja punësimi dhe mbështesin një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm e të udhëhequr nga komuniteti,” u shpreh Llatja.

Në kuadër të projektit, 100 gra dhe vajza do të marrin pjesë në një program 6-mujor të Këshillimit Intensiv për Punësim, ndërsa 50 prej tyre do të trajnohen posaçërisht për ofrimin e shërbimeve të kujdesit ndaj të moshuarve. Programi synon rritjen e mundësive reale për punësim, fuqizimin ekonomik të grave dhe mbështetjen e sektorëve socialë në rritje.

Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe krijimin e modeleve të reja të zhvillimit social në Elbasan, duke e vendosur komunitetin dhe përfshirjen e grupeve vulnerabël në qendër të politikave lokale.