Në studion e ABC të Mëngjesit, Sara Zekaj, koordinatore projektesh, vajza që për shumë vite ka udhëtuar mes realitetit shqiptar dhe ëndrrave europiane të shkollimit e punësimit, tregoi historinë e saj të ndjerë, të mbushur me futboll, humbje, dashuri familjare dhe rikthime…

Ajo nisi me kujtimet e saj të fëmijërisë në Elbasan, aty ku babai e merrte në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” edhe kur nuk kishte ndeshje. “Në atë fushë, ku bari më vinte gati në gju, unë nisa hapat e parë drejt futbollit,” tregon ajo.
Ai baba që e rriti me fanellat e Interit, Real Madridit e Brazilit… por që kurrë nuk kishin parë bashkë Kombëtaren nga shkallët e stadiumit. Derisa Sara vendosi të bëjë surprizën e jetës: ta çonte pikërisht në stadiumin e ri kombëtar, atë që ai vetë e kishte lyer me duart e tij.
“Ndihesha e lumtur që e solla aty, në vendin që ai e ka punuar me duart e tij,” rrëfen ajo me emocion.

“Pavarësisht rezultatit, ne e shijuam ndeshjen nga fillimi në fund.”
Nuk ishte surpriza e parë. Kujtimet e saj shkojnë pas në vitin 2013, kur e çoi në derbin Inter–Milan. “Jemi të dy interistë të flaktë. Nuk e priste. Kënaqet shumë kur i bëj surpriza të tilla,” thotë me krenari
Por futbollli dhe udhëtimet janë vetëm një pjesë e rrugëtimit të saj personal. Familja e saj kishte provuar dy herë të niste jetë të re në Greqi, për shkak të motrës së saj, e cila fatkeqësisht u nda nga jeta në moshën 15-vjeçare për shkak të epilepsisë. Një humbje që i ndryshoi rrënjësisht jetën, por që nuk e ndali dot. Sara vijoi me Erasmus në Çeki, më pas në Angli, duke u përplasur në kulturat e Europës përpara se të vendoste të kthehej në Shqipëri për të mbyllur shkollën dhe… për të kontribuar.
/ abcnews.al /
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.