Hapen rrugët e bllokuara nga moti i keq në Elbasan, vijon mungesa e energjisë

Prej ditës së djeshme, qarku i Elbasanit është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar, të cilat janë bërë më të dendura gjatë natës.

Sipas të dhënave, gjatë orëve të natës janë regjistruar rreth 24 mm reshje.

Nga struktura e Emergjencave Civile dhe Sallën Operative të Policisë së Shtetit, u raportua për rënien të gurëve dhe inerteve në disa akse rrugore: Elbasan – Qafë Thanë, rënie gurësh dhe dy raste rënie pemësh, Elbasan – Peqin, dalje aluvionesh në disa segmente, Elbasan – Gjinar (Derstillë) dhe Gramsh – Moglicë (Bërsnik), rënie inertesh dhe aluvionesh.

Në të gjitha rastet është ndërhyrë menjëherë nga firmat kontraktuese dhe akset rrugore janë të hapura për qarkullim.

Reshjet kanë shkaktuar gjithashtu ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe janë bërë stakime të qëllimshme për arsye sigurie në bashkinë Librazhd, Prrenjas, Gramsh dhe Elbasan, konkretisht në Nj.A Orenjë, Linik, Polis, Hotolisht, Stravaj, Qukës, fidri i Banjës dhe Nj.A Labinot-Fushë.

Ekipet e OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji.